Jam Alma,

bashkëthemeluese e HejMind dhe profesioniste me mbi një dekadë përvojë në hartimin e politikave publike, zhvillim ekonomik dhe shërbim ndaj komunitetit. Në çdo rol që kam mbajtur, nga administrata publike, tek zhvillimi i projekteve strategjike dhe bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare, qëllimi im ka qenë i njëjtë: të krijoj ndryshime që ndihen në jetën e përditshme të njerëzve.

HejMind është fryt i këtij rrugëtimi, një platformë që lindi nga bindja se kujdesi për shëndetin mendor duhet të jetë i thjeshtë, i ndjeshëm dhe i aksesueshëm për të gjithë. Në thelb të saj qëndron dëshira për të krijuar një hapësirë të sigurt, të ngrohtë dhe mbështetëse, ku secili mund të ndihet i dëgjuar dhe i kuptuar.

Për mua, HejMind nuk është vetëm një projekt, është një angazhim personal për t’u kujdesur për mirëqenien tonë kolektive, me empati, përkushtim dhe vullnet për të bërë më mirë çdo ditë.

Jam Ketrin,

bashkëthemeluese e HejMind dhe profesioniste në fushën e shëndetit publik, me mbi një dekadë përvojë në politika shëndetësore, administratë publike dhe menaxhim të kujdesit shëndetësor. 

Gjatë karrierës sime, kam pasur mundësinë të udhëheq programe kombëtare që adresojnë sfida të shëndetit publik, si sëmundjet kronike, parandalimi dhe veçanërisht shëndeti mendor. Kam punuar në institucione kyçe të sistemit shëndetësor në Shqipëri, gjithmonë me qëllimin për të sjellë shërbime më të drejta, më të aksesueshme dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të komunitetit.

Nga kjo përvojë lindi HejMind, si një nevojë reale dhe si një vazhdimësi natyrale e angazhimit tim për një kujdes shëndetësor që vendos mirëqenien në qendër. HejMind është një platformë digjitale që synon të fuqizojë të rinjtë përmes edukimit, teknologjisë dhe ndërgjegjësimit, duke ndihmuar në ndërtimin e një kulture të re për shëndetin mendor: më të hapur, më njerëzore dhe më pranë përditshmërisë.

Besoj fort se mendja ka nevojë për po aq kujdes sa trupi dhe se çdo hap drejt vetëkujdesit është një hap drejt një shoqërie më të shëndetshme.

Unë jam Nejsi Lleshi,

konsulente në fushën e shëndetit publik, inovacionit dhe dixhitalizimit të shërbimeve, me një eksperiencë prej mbi 10 vitesh në sektorin publik dhe jo-fitimprurës, duke ndihmuar në hartimin dhe zbatimin e politikave për përmirësimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe social, përmes dixhitalizimit dhe inovacionit.

Formimi im arsimor më ka ndihmuar të ndërthur analizën e të dhënave me zhvillimin e zgjidhjeve praktike, por ajo që më ka shtyrë drejt HejMind është diçka më personale. Ishte përvoja ime jetësore që më bëri të kuptoj sa e rëndësishme është që kujdesi për shëndetin mendor të jetë pranë njerëzve – veçanërisht të rinjve – përpara se të arrijnë një pikë krize.

HejMind lindi si një përgjigje ndaj kësaj nevoje. Synimi im është të krijoj një hapësirë të sigurt dhe miqësore ku të rinjtë dhe çdokush tjetër mund të gjejnë mbështetje, të mësojnë të kuptojnë veten dhe të përballen më lehtë me sfidat emocionale të përditshmërisë. Dua që HejMind të jetë një mjet praktik, i thjeshtë, diskret dhe i sigurt, që ndihmon jo vetëm individin, por edhe në krijimin e një kulture më të hapur për shëndetin mendor në Shqipëri.