Ne jemi këtu për të ndihmuar mendjen tuaj të gjejë paqe.
Hej Mind është një thirrje për t’u ndalur për një moment, për të marrë frymë thellë dhe për të thënë: “Unë jam këtu. Jam i rëndësishëm. Shëndeti im mendor ka rëndësi.”
Ne jemi një grup ekspertësh nga fusha e shëndetit mendor, teknologjisë dhe komunikimit, me vite përvojë dhe kontribut të vazhdueshëm në shoqërinë shqiptare. Ajo që na bashkon nuk është vetëm përvoja profesionale, por edhe pasioni i përbashkët për të sjellë ndryshim real dhe të prekshëm në jetët e njerëzve, veçanërisht në fushën e shëndetit mendor.
Hej Mind lindi si rezultat i një reflektimi të thellë mbi realitetin me të cilin përballemi çdo ditë si individë dhe si profesionistë. Jetojmë në një kohë ku ritmi i jetës është bërë i pandalshëm, ku presionet sociale dhe ekonomike janë rritur, dhe ku teknologjia, edhe pse ka sjellë shumë përparësi, shpesh është kthyer në burim izolimi dhe shkëputjeje emocionale.
Nga përvoja jonë personale dhe profesionale, kemi parë nga afër sesa pak flitet dhe sa pak veprohet për mirëqenien emocionale dhe shëndetin mendor, sidomos në Shqipëri dhe në komunitetet shqiptare kudo që ndodhen. Shpeshherë, shëndeti mendor shihet si një tabu, një temë që përmendet vetëm kur problemet kanë arritur kulmin, dhe fatkeqësisht, zakonisht shoqërohet me stigma dhe paragjykime.
Ne e dimë se kujdesi për shëndetin mendor nuk fillon vetëm atëherë kur jemi në krizë, por është diçka që duhet ndërtuar dhe ushqyer çdo ditë, me hapa të vegjël dhe të vazhdueshëm.
Për këtë arsye, vendosëm të krijojmë një platformë që i flet shqip zemrës dhe mendjes sonë. Hej Mind është fryt i përpjekjeve tona për të sjellë një mjet të thjeshtë, të prekshëm dhe të ndërtuar me dashuri për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje, reflektim dhe qetësi në këtë botë të zhurmshme.
Gjatë viteve kemi kërkuar vetë mjete dhe aplikacione që të na ndihmonin në rrugëtimin tonë personal të mirëqenies emocionale. Por gjithmonë kemi hasur një pengesë të përbashkët: gjuha. Ndjenjat tona, mendimet tona, sfidat tona… flasin shqip, ndërsa mjetet që kishim në dispozicion jo. Kjo na bëri të kuptojmë rëndësinë e të pasurit një hapësirë të dedikuar, në gjuhën tonë të zemrës, që të rezonojë me përjetimet tona emocionale, kulturore dhe sociale.
Hej Mind është më shumë se një aplikacion. Është një ftesë për të filluar një marrëdhënie të re me veten. Një hap i vogël drejt ndërgjegjësimit, mirëqenies, vetëkujdësjes dhe transformimit personal. Një mjet për të ndihmuar individët të krijojnë zakone të vogla që, me kalimin e kohës, sjellin ndryshime të mëdha, jo vetëm përbrenda, por në të tërë shoqërinë.
Ne jemi të bindur që kultura e mirëqenies mendore duhet të bëhet pjesë e përditshmërisë sonë, jo një luks, por një nevojë bazë. Ne duam të thyejmë stigmën dhe heshtjen që shpesh shoqëron shëndetin mendor në vendin tonë.
Duke kombinuar eksperiencën profesionale, pasionin personal, dhe njohjen e thellë të realitetit shqiptar, kemi ndërtuar Hej Mind me dëshirën për t’ju ndihmuar të kujdeseni më shumë për veten, të dëgjoni më shumë ndjenjat tuaja dhe të ndërtoni një jetë më të ekuilibruar.
Ekipi Ynë
Pyetjet më të shpeshta
Ke pyetje? Ne kemi përgjigjet. Shiko më poshtë për të zbuluar gjithçka që të duhet të dish për HejMind.
Hej Mind është një platformë e dedikuar për krijimin e zakoneve të shëndetshme që mbështesin shëndetin mendor. Bazuar në teknika të provuara dhe të mbështetura nga kërkime shkencore, Hej Mind synon t’ju ndihmojë të ndërtoni një jetesë më të lumtur dhe më të shëndetshme. Aplikacioni ofron mbështetje jo vetëm për sfidat e momentit, por edhe për të ushqyer një qasje më të thellë dhe më pozitive ndaj jetës së përditshme. Hej Mind është krijuar si një mik i përditshëm, që ju ndihmon të ndryshoni mënyrën se si perceptoni dhe menaxhoni shëndetin tuaj mendor.
Hej Mind ju ofron mundësinë ta personalizoni eksperiencën tuaj, sipas nevojave dhe sfidave individuale. Në zemër të aplikacionit qëndron parimi i vetëdijes – të qenurit i pranishëm me trup dhe mendje në çdo moment të jetës. Për ta arritur këtë, aplikacioni ju vë në dispozicion mjete praktike të mbështetura nga shkenca si:
- Meditimi
- Reflektimi përmes shkrimit
- Regjistrimi i humorit dhe stresit
- Shprehje motivuese dhe mbështetëse për situata të ndryshme
Gjithashtu, Hej Mind ju ndihmon të identifikoni sfidat tuaja më të mëdha dhe t’i përballoni ato gradualisht, sipas ritmit dhe ndjeshmërisë suaj. Pa presion. Pa krahasime. Pa receta të përgjithshme.
Në një botë që ecën me ritme të shpejta, është e lehtë të harrojmë të kujdesemi për mirëqenien tonë emocionale. Hej Mind vjen si një kujtesë e butë për të ndalur për pak çaste dhe për t’u lidhur me veten. Vetëm disa minuta në ditë mund të bëjnë një ndryshim të madh në mënyrën si ndiheni dhe si përballeni me jetën. Ne besojmë se lumturia dhe shëndeti mendor fillojnë me vetëkujdesin dhe reflektimin e përditshëm.
Hej Mind është ndërtuar për të gjithë shqipfolësit, pa dallim moshe, gjinie apo vendndodhjeje.
Fokusi ynë kryesor janë adoleshentët dhe të rinjtë, pasi kjo grupmoshë përballet më shpesh me mungesë mbështetjeje emocionale dhe me sfida të reja të sjella nga teknologjia dhe jeta moderne. Megjithatë, çdo funksionalitet dhe material i aplikacionit është i vlefshëm dhe i dobishëm për këdo që dëshiron të përmirësojë shëndetin e tij mendor.
Misioni ynë është të ndikojmë sa më shumë zemra dhe mendje dhe të ndihmojmë në thyerjen e stigmës ndaj shëndetit mendor në shoqërinë shqiptare.